Thursday, July 24, 2014

Mirëadministrim të fondeve për futbollin e sportet e tjera

Gjatë një takimi miqësor me ish-sportistë, trajnerë dhe veteranë të sportit, kandidati i PD për kryetar i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Stratobërdha prezantoi disa nga pikat e programit të tij për zhvillimin e sportit në qytetin e Korçës, për t'i kthyer, siç u shpreh ai, shkëlqimin e dikurshëm. Stratobërdha u përqendrua te angazhimi i Bashkisë në miradministrimin e fondeve dhe punën që duhet bërë për të ringritur shumësportëshin në nivelin e futbollit. "Sot një pjesë e sporteve si, gjimnastika, mundja, boksi, qitja, alpinizmi, nuk ekzistojnë më. Futbolli vazhdon të na nderojë me rezultate të mira, por mbetet shumë për të bërë, sidomos për shumësportëshin. Rreth 203 milionë lekë ishte vlera që Bashkia e Korçës pagoi për shumësportshin në vitin 2012 dhe 213 milionë është paguar afërsisht për futbollin në vitin 2013. Këto janë vlera të mëdha, të cilat kërkojnë një menaxhim të mirë, për të arritur dhe rezultate të mira. Parimi bazë që do të ndiqet do të jetë miradministrimi i fondeve dhe parimi i transparencës së fondeve", theksoi ai.
"Përsa i përket futbollit, është e rëndësishme që të ruhet një bashkëpunim i mirë mes Bashkisë dhe sipërmarrjes private. Përsa i përket shumësportëshit, gjëja e parë që duhet bërë është përzgjedhja më e mirë e trajnerëve për të dhënë rezultate më të mira dhe shpërndarja e financimit duhet të bazohet në rezultatet", tha  Stratobërdha. Në programin e tij përfshihet edhe nxitja e të rinjve dhe fëmijëve për t'u marrë me sport nëpërmjet projekteve të ndryshme si, angazhimi i mësuesve të fiskulturës për stërvitjen e të rinjve të talentuar, investimi nga ana e Bashkisë për stërvitjen e të rinjve të talentuar që vijnë nga familje në nevojë, por edhe përdorimin e palestrave të shkollave për komunitetin si dhe mirëmbajtja e terreneve sportive dhe rikonstruksionin e tyre. Stratobërdha ka vijuar edhe me të tjera pika të programit për sportin, duke u fokusuar tek rikonstruksioni i Pallatit të Sportit, fonde për zhvillimin e aktiviteteve në Qendrën Kulturore të Fëmijëve si dhe bashkëpunimin e ekipeve me simotrat e tyre të huaja.
Stratobërdha zhvilloi një takim edhe me të rinjtë e Forumit të Partisë Demokratike. "Administrata e Bashkisë do të ketë në përbërjen e saj të rinjtë e talentuar dhe me rezultate të shkëlqyera", është shprehur kandidati për Kryetar Bashkie i "Aleancës për Qytetarinë korçare", Sotiraq Stratobërdha. Ai tha se, Bashkia do të bashkëpunojë me të rinjtë, duke i bërë ata pjesë të projekteve të ndryshme, si dhe duke ndikuar në punësimin e tyre edhe në biznese private. "Bashkia dhe të rinjtë do të bashkëpunojnë dhe do të jenë shumë afër njëri-tjetrit. Ju do të jeni ata që do të jeni administrata e ardhshme e Bashkisë. Sot, unë mendoj se do të bëj diçka për këtë qytet dhe për ta bërë këtë unë kërkoj përkrahjen tuaj", ka thënë Stratobërdha.
Në këtë takim kanë qenë të pranishëm edhe deputetët e Korçës, Eleina Qirici dhe Gjergji Papa. "Prezenca juaj këtu tregon më së miri që Forumi Rinor i Partisë Demokratike është plotësisht i unifikuar, plotësisht i bashkuar, në mbështetje të PD-së dhe kandidatit të saj", ka thënë Kryetari i PD-së Dega Korçë, Gjergji Papa.

Login Form