Saturday, August 02, 2014

Pse është e pamundur rritja e moshës së pensionit

Nisma e pak ditëve më parë e Ministrisë së Financave për rritjen e moshës së daljes në pension është komentuar edhe nga deputetët e Partisë Demokratike, të cilët janë shprehur kundër kësaj të fundit.
Në një dalje publike për mediat, deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu ka deklaruar dje se, “ne jemi në mënyrë kategorike kundër rritjes së moshës së pensioneve.
Ne nuk do ta votojmë këtë.
Ju mund të ktheheni dhe mbrapa dhe të shikoni diskutimet që janë bërë në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike. Ne kemi qenë dhe jemi për një rishikim të skemës së pensioneve. Ne jemi për vendosjen e një sistemi të drejtë të pensioneve dhe kjo në mënyrë të veçantë për rregullimin e raporteve midis kontributeve që japin të siguruarit dhe përfitimit që marrin me moshën e daljes në pension.
Natyrisht, ne jemi për një modernizim dhe fleksibilitet të sistemit të pensioneve”, ka deklaruar Shehu.
Vetëm pak ditë më parë, kreu i Financave shqiptare ka deklaruar publikisht nisjen së shpejti të një reforme të thellë në sistemin e sigurimeve shoqërore, duke quajtur mëse permanente edhe rritjen e moshës së daljes në pension.
Ekspertët e fushës janë të mendimit se, skema për të cilën mendon të aplikojë qeveria e re vë në rrezik të madh skemën aktuale, pasi kjo e fundit rrezikon të mos mbajë më, pasi të ardhurat nga kontributet nuk do të garantojnë fondin e posaçëm që i duhet qeverisë për likuidimet mujore të 540 mijë pensionistë.
“Shqipëria është e vonuar për zbatimin e reformës. Kjo reformë nis mbarë rreth 7 vjet më parë, por u ndërpre, pasi nevojitej edhe konsensusi i opozitës së asaj kohe”, deklaron më tej Shehu.
Edhe vetë Ministria e Financave në kohën e qeverisjes së djathtë është shprehur kundër rritjes së moshës.
Për këtë është shprehur pak kohë më parë, edhe ish-zëvendësministri i Financave, Nezir Haldeda, i cili ka deklaruar se, “nuk duhet të ketë rritje të moshës së pensionit, por do të rishikohen të tjera skema, indeksimi. 
Për këtë, vetë ky i fundit është shprehur qartë se reforma në këtë fushë madhore nuk mund të hartohet “tak-fak”, pasi efektet e saj do të shtrihen për shumë vite.
“Duhet të jemi të kujdesshëm, nuk bëhet shaka me skemën”, shtoi më tej Haldeda. E në fakt, numri dy i Financave ka të drejtë, pasi fatura e pensioneve për tre vitet e ardhshme pritet të arrijë në 1 miliard dollarë, ose më pak se 8 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Reforma, jo vetëm një përgatitje ligji

Njëri prej personave kyç në procesin e reformës së pensioneve është edhe ish-zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, aktualisht deputet dhe anëtar i Komisionit parlamentar për Ekonominë dhe Financat.
Shehu përfaqësonte demokratët në grupin e punës, të iniciuar nga Banka Botërore dhe ka përvojë në hartimin e strategjive.
“Referoma në sistemin e pensioneve nuk do të thotë thjesht përgatitja e një ligji që detyron kontribuesit të derdhin shumat në skema të posaçme, apo hartimi i kolonave. Reforma shkon më tej se aq, pasi duhet të diskutohet edhe për moshën e daljes në pension, nivelin e kontributeve. Të gjitha këto ndryshime të forta kërkojnë mbështetje, pasi skema prek të gjithë shqiptarët. Ndryshimet që duhet të bëhen nuk janë për 2, 5 apo 10 vjet, por janë me efekte që shtrihen shumë vite më pas”, thotë Shehu në vlerësimin e tij.

Qytetarët të zgjedhin vetë për moshën e daljes në pension

Rritja e moshës së pensionit nuk është zgjidhja e duhur. Njëkohësisht ajo krijon një sfidë të madhe që është mungesa e vendeve të punës të përshtatshme për moshat e vjetra. Prandaj nevojitet që reformat të jenë të gjithanshme, por ato duhet të jenë të përgjegjshme, si nga ana fiskale dhe sociale.
Ato duhet të parandalojnë kthimin në varfëri të moshës së vjetër. Ky risk është rritur si rrjedhojë e pabarazisë së të ardhurave, e cila do të thellojë pabarazinë edhe në përfitimet nga pensionet.
Këto sfida flasim për nevojën e seriozitetit dhe të përgjegjësisë në ndërmarrjen e reformave të tilla. Pra, ne duhet të kemi një sistem që ofron fleksibilitet dhe u jep mundësi qytetarëve të bëjnë zgjedhjen e tyre për moshën e daljes në pension, por edhe mbrojtje për shtresat më të rrezikuara, si ato me të ardhura të ulëta ose që dalin pa punë para kohës së pensionit.
Zgjidhjet për problemet që mund të lindin nga lidhja e daljes në pension me jetëgjatësinë janë të shumta.
Ndër to, më të rëndësishmet janë: krijimi i mekanizmave për dalje në pension para ose pas moshës zyrtare, krijimi i skemave të pensioneve të parakohshme, stimulimi i krijimit të vendeve të punës së përshtatshme për moshat e vjetra etj. Megjithatë faktori kyç për zgjidhjen e problemeve të moshës së tretë është nxitja e tyre, që të investojnë në fondet e pensioneve private, pasi kështu ruhet një nivel i arsyeshëm i të ardhurave gjatë gjithë jetës dhe krijohet më shumë hapësirë që qeveria të ketë politika mbështetëse për shtresat në nevojë.

Kush përfitoi më shumë dhe çfarë u rrit nga pensionet në këto 8 vjet

Pas ardhjes në pushtet, qeveria e demokratëve ndërmori disa nisma për të rritur pensionet dhe për t’i barazuar përfitimet mes atij që jetonte në fshat dhe atij në qytet. Nga grafiku i të dhënave që disponon ISSH bie në sy fakti se rritja më e madhe u realizua në vitin 2006, me gati 1700 lekë ose 16.5 për qind më shumë në raport me 2005-ën.
Më pas ishte viti 2009, ku sërish për pensionet në qytet, pati një rritje të ndjeshme, gati 8 për qind ose rreth 1000 lekë në muaj. Vendimet për rritjen e pensioneve janë shoqëruar edhe me politika të reja për kompensimet, ku që pas vitit 2005, u shtuan me 1260 lekë, duke e zgjeruar skemën me 190 lekë të tjera rimbursime dhe më pas me 200 lekë në vitin 2010.
Në total, përveç pensionit, një kategori e caktuar pensionistësh përfitojnë në muaj rreth 2150 lekë, në varësi të kritereve. Këto të dhëna “pozitive” vlejnë vetëm për pensionet e qytetit, pasi për fshatin, qeveria duket se është treguar më e kursyer.
Viti 2009, regjistron nivelin më të lartë të rritjes së pensioneve, me gati 17 për qind, ose mbi 1100 lekë në muaj.
Të dhënat përfshijnë edhe masën e të ardhurave që vijnë nga kontributet. Ndryshe nga qyteti, pensionistët e fshatit përfitojnë dy lloj kompensimesh, por që në vlerë arrijnë në rreth 900 lekë në muaj. Natyrisht, kjo shtesë nuk shkon në xhep të çdo pensionisti, pasi përcaktohet mbi bazën e kritereve, si numri i personave në shtëpi, kryefamiljari, veteran, etj.

Mazhoranca e sotme nuk bashkëpunoi për sistemin e pensioneve

Reformimi i sistemit të pensioneve ishte një ndër shtyllat e programit të qeverisë së djathtë. Edhe Banka Botërore ka bërë një analizë të thellë të sistemit të pensioneve në Shqipëri dhe rekomandoi që në atë kohë reformimin e tij.
Bazuar në këto dokumente, u ngrit një grup pune, i cili përgatiti një strategji për sistemin e pensioneve. Kjo strategji është diskutuar në Komitetin e Planifikimit Strategjik në vitin 2008 dhe u vendos që të miratohej pas diskutimit dhe marrjes së konsensusit të opozitës së asaj kohe.
Ky vendim ishte shumë i arsyeshëm, për Shehun, pasi reformat e pensioneve duhet të garantojnë qëndrueshmëri të sistemit dhe balancim të barrës fiskale midis brezave.
Për të zbutur ngarkesën politike të kësaj reforme, Banka Botërore u përfshi në rolin e ndërmjetësit dhe këshilltarit të procesit dhe qeveria dhe opozita e asaj kohe do të ishin në pozita të barabarta.
Por që nga ajo kohë, mazhoranca aktuale asnjëherë nuk ka shprehur vullnet për bashkëpunim dhe praktikisht, puna e grupit ka mbetur aty ku ishte.

Përveç rritjes së moshës ka edhe zgjidhje të tjera

Ekspertët janë të mendimit se, ka ende zgjidhje të tjera për daljen nga kriza e sistemit aktual të pensioneve. Aplikimi i sistemit me disa kolona dhe ndarja e përgjegjësisë dhe detyrimit me sistemin privat është një e tillë.
Skemë që ka dhënë rezultat prej shumë vitesh në shumicën e vendeve të zhvilluara të botës. Por në këtë rast, qeveria e ka gjetur zgjidhjen për të marrë sa më shumë para, si rrjedhojë e zgjatjes së kohës së punës, në mënyrë që të japë sa më pak para, si rrjedhojë e uljes së kohës, për të cilën qytetarët në këtë rast gratë përfitonin një pension pleqërie.
Në këtë rast, rritja e moshës së punës do të zvogëlojë kohën e përfitimit, çfarë do të thotë se, koha deri në vdekje bëhet më e vogël dhe më pak e shpenzueshme për buxhetin.
Skema e dytë, për të cilën në mënyrë tërësisht të pandërgjegjshme qeveria pritet të vërë në zbatim është rritja me 2 vite e pensionit për burrat dhe me tri vite për gratë. Kjo do të thotë, që një burrë do të dalë në pension në moshën 67-vjeçare, nga 65 që del aktualisht dhe një grua në moshën 63-vjeçare, nga 60 që del aktualisht.
Por nga ana tjetër, një ndër premtimet e qeverisë së re ka qenë shëndetësia falas.
Pra, shërbim total për të gjithë qytetarët e vendit, pa pagesë, pra, pa kontribute.
Entela VRAPI

Login Form